ICO  
 
Pieter Feith ICR/EU Special Representative in Kosovo
© European Parliament/Pietro Naj-Oleari
The EU in Kosovo


Kosovo Government

ICR-ja mbajti fjalim në Universitetin Amerikan në Kosovë

Fjalimi i dhënë nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, në Universitetin Amerikan të Kosovës 27 prill 2010

 

                                 “E ardhmja e Kosovës u takon juve”      

ICR Pieter Feith:

 

“Ju faleminderit shumë për fjalët e mira hyrëse dhe gjithashtu që e rikujtuat audiencën për dy kapelat e mia. […] Por, ju e thatë me të drejtë se është e sigurt që zyra e ICO-së do të tërhiqet sa më parë që të jetë e mundur. Mendoj se lavdërimi i takon qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës që qysh tani mund të fillojmë të mendojmë për përfundimin e punës së ICO-së ndoshta në dy ose tri vite. Nuk dëshiroj të caktoj një kufi kohor në këtë, por me siguri se nuk do të qëndrojmë këtu për nëntë vite dhe ndoshta kjo është diçka që ju do ta shihni si zhvillim pozitiv.

 

“Zonja dhe zotërinj, nuk kam ardhur këtu që ta shpjegoj vetëm të ardhmen e ICO-së, por dua të diskutoj me ju të ardhmen e vendit tuaj, dhe t’i them disa fjalë për atë se çka mendoj se mund të kontribuoni ju për Kosovën, për ta bërë atë një vend të prosperuar, stabil dhe një anëtar të ardhshëm aspirant të Bashkimit Evropian.

 

“Kam kënaqësinë që u ktheva sot këtu me një mundësi tjetër për të ndarë mendimet e mia për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Është kënaqësi e veçantë që kam rastin të flas me ju, studentët e AUK-ut, dhe ju, vendimmarrësit dhe udhëheqësit e ardhshëm të Kosovës. Ju vërtet keni privilegjin për të marrë arsimim cilësor këtu ku nxitet mendimi kritik dhe keni mundësi për të formuar vizionin tuaj për atë Kosovë që dëshironi ta shihni të zhvillohet në të ardhmen. Në të vërtet do të thosha se e ardhmja e Kosovës është në duart tuaja.

 

“Është detyrë e imja që për çdo ditë ta vlerësoj të ardhmen e Kosovës. Unë jam ai që verifikon që çdo qytetar të marrë përfitimet e reja të premtuara nga Plani Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen i Presidentit Ahtisaari. Si Përfaqësues Special i BE-së, më duhet të verifikoj që çdo hap i Kosovës t’i afrohet më afër të ardhmes së saj evropiane. Ka shumë njerëz në Kosovë të cilët kanë për detyrë që të përkujdesen që asgjë të mos ndodhë. Detyra ime është që të përkujdesem që gjërat të ndodhin. Qëndrueshmëria afatgjate e Kosovës varet nga një realitet i ndryshëm ekonomik dhe nga një realitet i ndryshëm rajonal. Qëndrueshmëria afatgjate e Kosovës, sipas mendimit tim, varet nga gjenerata juaj që të krijojë një mjedis të ri për biznes dhe një atmosferë të re në marrëdhëniet rajonale. Kjo Kosovë e ardhshme është Kosova juaj, dhe unë e ndaj dëshirën të cilën shpresoj se e keni edhe ju që Kosova ta realizojë potencialin e saj që i takon dhe për ta zënë vendin e saj që i takon në botë.

 

“Prandaj, më lejoni që t’i theksoj tri fusha kryesore të përpjekjeve të cilat i konsideroj si jetike për rritjen dhe zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës: sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe angazhimi rajonal.

 

“E dimë mirë se sundimi i ligjit është guri i themelit mbi të cilin qëndrojnë shtetet demokratike. Pa sundim të ligjit, progresi legjitim kurrë nuk do ta shohë dritën e diellit. Në të vërtetë, testi vendimtar për një shtet të qeverisur në mënyrë efektive është prania e një sistemi vital dhe funksional të sundimit të ligjit.

 

“Zonja dhe zotërinj, gjeneza e sundimit të ligjit mund të gjurmohet në kohën e traditës së të drejtës zakonore e deri në kohën e Kartës së Madhe dhe Ligjit për të Drejtat, ku siç citohet një thënie, “edhe mbretërit i nënshtroheshin ligjit”. Sundimi i ligjit depërton në çdo fushë të jetës, si në zhvillimin e biznesit dhe tregtisë, dhe në tërheqjen e investimeve të jashtme, ngritjen e një administrate efektive, krijimin e lidhjeve personale dhe ekonomike e kështu me radhë. Dr. Thomas Fuller në vitin 1773 ka thënë dhe po citoj “sado i lartë që të jesh, ligji është mbi ty”. Në librin bazik të tij për sundimin e ligjit, Lordi Tom Bingham paraqet tetë parime thelbësore që e përkufizojnë sundimin efektiv të ligjit: dispozitat ligjore të jenë në dispozicion të të gjithë qytetarëve, ato duhet të jenë të qarta dhe të kuptueshme, barazia e të gjithëve para ligjit, ushtrimi i drejtë i pushtetit nga ekzekutivi, e drejta për gjykim të drejtë, zbatimi i drejtë i ligjit, e drejta për arsimim dhe mbrojtja e të gjitha të drejtave themelore të njeriut.    

 

“Në vitet e fundit ka dalë në pah se sundimi i ligjit nuk qëndron më në kuadër të jetës juridike dhe politike, por ka depërtuar në fushën e financave, të ekonomisë dhe përtej tyre. Derisa bota përballet me globalizimin në rritje dhe pasojat që rrjedhin nga ai, sundimi i ligjit në mënyrë proporcionale vihet  në sprovë në fushat siç janë shqyrtimi gjyqësor, habeas korpus,  respektimi i procedurave, qasja në drejtësi dhe llogaridhënia e udhëheqësve të zgjedhur ndaj zgjedhësve të tyre.

 

“Mbesin disa sfida në përpjekjet për krijimin e një sistemi të fuqishëm të sundimit të ligjit në Kosovë. Në veçanti ato mbesin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në muajt e fundit janë parë disa shembuj të sfidave për sundimin e ligjit me përfundime pozitive. Një shembull i tillë është vendimi kundërthënës i gjykatës lidhur me pronën në Komunën e Vitisë. Kam vërejtur edhe një zhvillim të shëndoshë ku Gjykata Kushtetuese po i përmbush përgjegjësitë e veta me vendimin e saj se me logon e Komunës së Prizrenit është shkelur e drejta e pakicave për përfaqësim, dhe pres veprimin e Prizrenit për ta bërë logon në përputhshmëri me këtë të drejtë.

 

“Për ne është inkurajuese të shohim themelimin e institucioneve të reja gjyqësore, subjekte të reja të cilat kohëve të fundit kanë nxjerrë mendime të shëndosha nga aspekti juridik dhe të arsyetuara mirë. Në luftën kundër korrupsionit dhe mashtrimit, kjo pavarësi e gjyqësorit po bëhet edhe më shumë një domosdoshmëri. Derisa ju ëndërroni për një Kosovë që do të dëshironit ta trashëgoni nga gjenerata e prindërve tuaj, ju siguroj që ajo do të ishte një Kosovë e cila ka të instaluar sundimin efektiv të ligjit në të gjitha fushat e jetës civile dhe politike, dhe ku do të mund të krenoheni për një shtet vërtetë demokratik në të cilin do të jeni qytetar me të drejta të plota. Një çështje e fundit rreth sundimit të ligjit ka të bëjë me lidhjen tij të pandashme me sigurinë, si në vend ashtu edhe jashtë tij. Derisa kombet në mbarë botën ballafaqohen me kërcënime të reja, si nga faktori njeri ashtu edhe nga ato të nxitura nga natyra, përmes sistemit të shëndoshë të sundimit të ligjit ato mund t’i mbajnë qytetarët e tyre të sigurt dhe të pacenuar, duke u angazhuar me parterë ndërkombëtarë për të adresuar sfidat e veçanta. Në Kosovë, pranitë kolektive të BE-së po punojnë ngushtë me qeverinë për t’i vazhduar reformat rreth çështjeve të sundimit të ligjit në çdo sektor.

 

“Zonja dhe zotërinj, ndërkohë institucionet që funksionojnë si duhet janë jetike për sundimin e ligjit, jeta në një shoqëri, që udhëhiqet nga sundimi i ligjit është si çdo gjë tjetër çështje e shprehisë së të menduarit dhe kjo është pika ku secili prej jush individualisht mund të luaj rolin e tij. Sundimi i ligjit, thjeshtë, nuk ka të bëjë vetëm me “çështjet e mëdha” sikurse mbikëqyrja e veprimeve të qeverisë nga Kuvendi. Ajo ka të bëjë edhe me zgjedhjet ditore – respektimi i ligjeve të trafikut ose hedhja e mbeturinave në vendin e duhur. Ne, duke respektuar ligjet, do të jemi në gjendje të bëjmë kërkesa legjitime ndaj të tjerëve në shoqëri në mënyrë që edhe ata ti respektojnë ato.

 

“Sistemi i shëndoshë ekonomik është shtylla tjetër që e shoqëron zhvillimin në një shtet dhe siguron lidhje të forta në tërë rajonin dhe globin. Përfaqësuesja e re e Lartë e BE-së zonja Ashton e ka theksuar këtë çështje pas takimit të fundit me Kryeministrin Thaçi, në të cilin ajo e ka theksuar përkrahjen e BE-së për Kosovën, po e citoj “përmes tregtisë, projekteve dhe zhvillimit ekonomik”. Më tej ajo ka shtuar se “Kosova i takon Evropës. Ky rajon është prioritet i lartë i imi”. Kosova ka bërë disa hapa të shpejtë dhe të rëndësishëm në këtë drejtim. Ajo rishtazi është bërë anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

 

“Në mënyrë që të fillojë zhvillimin Kosova duhet shumë shpejtë të miratojë politika ekonomike që shohin larg për të stimuluar zhvillim të qëndrueshëm, hapje të vendeve të punës dhe për të rritur hyrjen e Investimeve të Huaja Direkte (IHD). Ka ardhur koha që prej tash të  kujdesemi që pas disa viteve Kosova do të ketë sektor privat të shëndoshë dhe dinamik. Pjesë e kësaj është ndryshimi i mënyrës së të menduarit  nga përpjekjet për të kontrolluar ndërmarrjet private në përpjekjet për të rregulluar atë.

 

“Zonja dhe zotërinj, autoritetet kosovare kanë vendosur të hapin tre Ndërmarrjet më të mëdha publike (NP) për investime private dhe kanë ndërmarrë veprime të rëndësishme në këtë drejtim. Privatizimi i Kompanisë së Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), Kompanisë së Energjisë së Kosovës (KEK) dhe “Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës" do të jetë ndër transaksionet më të mëdha të bëra ndonjëherë në këtë vend. Procesi i privatizimit duhet të jetë konkurrues, transparent dhe i përgatitur mirë. Një proces i suksesshëm i privatizimit do të dërgonte sinjal se Kosova mund të jetë destinacion tërheqës për investime të mëdha dhe është partner i besueshëm.

 

“Si ekonomi me bazë të vogël, për mirëqenien e saj Kosova është shumë e varur në eksporte. Aktiviteti ekzistues eksportues i Kosovës mbetet jashtëzakonisht i ulët dhe mbulimi i importit mbetet me 12 përqind. Në këtë mënyrë bashkëpunimi rajonal është jetik për gjendjen ekonomike të Kosovës pasi që zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik nuk është i mundur pa qasje në tregjet ndërkombëtare dhe pa marrëdhënie të mira fqinjësore. Përmes pjesëmarrjes aktive Kosova mund të tregojë pjekurinë politike të saj dhe të tërheq vullnetin e mirë sidomos sa i përket Perspektivës Evropiane të Kosovës. Qëndrimi jashtë mekanizmave rajonal  nuk do të ketë vetëm pasoja negative politike, por do të paraqiste edhe rrezik të izolimit ekonomik.

“Zonja dhe zotërinj, zhvillimi më i shpejtë dhe më i qëndrueshëm ekonomik varet edhe nga zgjerimi i sektorit privat dhe përmirësimi i prodhimtarisë dhe konkurrencës së tij. Ekziston nevojë urgjente për përmirësimin e mjedisit për afarizëm, i cili akoma është joadekuat si dhe nevojë për stimulimin e investimit privat.

 

“Anketa e “Doing Business 2010” e Bankës Botërore ka zbuluar zhvillime zhgënjyese: prej 10 treguesve të mjedisit për afarizëm, nëntë prej tyre kanë rënë më poshtë në krahasim me vitin e kaluar dhe një ka mbetur i njëjtë. Me fjalë të tjera, Kosova ka bërë progres të kufizuar në kryerjen e reformave të domosdoshme ekonomike në bazë të këtij raporti të Bankës Botërore.

 

“Megjithatë, zonja dhe zotërinj faktorët e jashtëm do të ndryshojnë me tranzicionin e vazhdueshëm drejt ekonomisë funksionale të tregut në pajtim me kriteret evropiane. Sikurse ekonomitë tjera, të cilat shkojnë drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sektori privat duhet të bëhet promotori i zhvillimit. Përballja me gjendjen e tanishme ekonomike të Kosovës kërkon formulim dhe zbatim të vazhdueshëm të politikave ekonomike adekuate për të trajtuar mangësitë akute.

 

“Në fund, zonja dhe zotërinj dua të trajtoj bashkëpunimin rajonal si pikë të tretë të fokusit për Kosovën , posaçërisht me thellimin e angazhimit me fqinjët. Kosova vazhdon të merr pjesë në nismat rajonale duke ditur faktin se bashkëpunimi rajonal me të vërtetë është rruga drejt integrimit të mundshëm evropian. Është e rëndësishme që Prishtina dhe Beogradi të fillojnë të bashkëpunojnë nga afër për zgjidhjen e çështjeve të mbetura, të cilat kanë implikime afatgjate për të dy palët. Regjistrimi i popullsisë që parashihet të bëhet në muajin maj të vitit të ardhshëm është një çështje tjetër ku bashkëpunimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të jetë qenësor. Si Serbia ashtu edhe Kosova kanë perspektivë evropiane si pjesë të rajonit. BE-ja tashmë po luan rolin ndërmjetësues në ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore të Serbisë në Kosovë. Përveç kësaj, meqenëse Kosova zhvillon lidhjet më të ngushta tregtare dhe të biznesit me pjesën tjetër të Evropës, marrëdhënia e saj me Serbinë dhe me fqinjët tjerë të rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të ngurtësohet në mënyrë që të gjithë akterët të lexojnë skenarin nga e njëjta faqe. Në fund ky bashkëpunim përfshin çështje të qeverisjes, për të cilat nuk ka gjithmonë konsensus, por të cilat megjithatë janë të domosdoshme për të bërë progres.

 

“Zonja dhe zotërinj, deri më sot 66 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar kjo më jep bazë të mirë për optimizëm për të ardhmen e Kosovës. Ndërtimi i shtetit dhe institucioneve është duke përparuar dhe ju do të jeni mbrojtësit përfundimtar të përpjekjeve tona të përbashkëta që i bëjmë sot. BE-ja gjithnjë e më shumë është partneri më i qëndrueshëm dhe më i afërt i Kosovës. Përkrahja për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Kosovës vjen nga Brukseli dhe do të vazhdojë të vijë nga Brukseli, dhe për çdo ditë do të vjen edhe nga ne që jemi këtu, pasi që e përkrahim perspektiven e BE-së për Kosovën.

 

“Në përfundim, zonja dhe zotërinj, disa fjalë për ju. Nuk kam asnjë dyshim që ju e studioni nga afër punën tonë, të cilën e bëjmë për të ndihmuar qeverinë tuaj. Ne kemi nevojë për vizionin tuaj, talentin dhe përkushtimin në mënyrë që kjo përpjekje e përbashkët e partneritetit BE-Kosovë të jetë e suksesshme. Ju lutem të gjeni hapësirat në të cilat ju mund të shpreheni me fjalë, përmes artit, punës humanitare –çfarëdo që ju nxit të jepni kontributin tuaj. Në fund të fundit, ju do të jeni mbajtësit e stafetës, e cila do të çon Kosovën përpara. Ka shumë shpresë tek ju, me ç’rast ju duhet të bëni maksimumin për Kosovën dhe veten tuaj.

“z. Kryetar, zonja dhe zotërinj, ju faleminderit shumë”, Fund

 
 
The International Civilian Office - European Union Special Representative (ICO-EUSR) 2008 Copyright "Blue Building" St. Ahmet Krasniqi PN
(100 metres south of Hotel Adria) 10000 Pristina, Kosovo Tel: +381 (0) 38 20 44 100 (central) +381 (0) 38 20 44 210 (fax) E-mail: office@ico-kos.org